Dhuna në familje përfshin aktet e dhunës fizike, psikologjike, monetare, etj. të cilat bien ndesh me të drejtat e njeriut. Përveç dhunës, një problem tjetër shqetësues është edhe fakti se shtetasit të cilët i drejtohen organeve ligjzbatuese, polici, prokurori apo gjykatë nuk informohen dhe nuk janë të qartë se ata nuk janë në gjendje të heqin dorë nga kallëzimi (procedura ligjore e ndjekjes penale), pasi ai ka
filluar.
Pra, nëse ju keni kallëzuar dike për veprën penale “dhuna në familje” të parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal nuk është më në vullnetin tuaj ta ndërprisni këtë proces, çka do te thotë se ne këtë rast nuk ndodhemi në kushtet e neneve 59, 64 dhe 284-286 të Kodit të Procedurës Penale. Nëse marrëdhëniet normalizohen kjo mund të shërbejë si rrethanë lehtësuese por jo për përjashtimin e të kallëzuarit/es nga dënimi penal.
Por me sa vite dënohesh për dhunë në familje?
Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, ndaj personit që është bashkëshort, ish- bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim gjer në dy vjet.
Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit psikik të tij, dënohet me burgim gjer në tre vjet.
Plagosja e kryer me dashje, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.
Po këto vepra, të kryera në mënyrë të përsëritur, ose në praninë e fëmijëve, dënohen nga një deri në pesë vjet.