Studio ligjore "Meminaj"

Si mund të aplikoj për regjistrim martese të kryer jashtë Shqipërisë?

Home / Single Practice

Si mund të aplikoj për regjistrim martese të kryer jashtë Shqipërisë?

Shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kane lidhje me një shtetas shqiptar dhe që duan të regjistrojnë në gjendjen civile në Shqipëri martesën e tyre për të kryer procedurën e regjistrimit të martesës duhet të veprojnë si më poshtë:

Si fillim, duhet të hapet një adresë përdoruesi në faqen e https://e-albania.al. Aty mund të aplikohet për regjistrimin e martesës. “Aplikimi për regjistrimin e martesës” është një shërbim elektronik, i cili u mundëson shtetasve shqiptarë të dërgojnë online një kërkesë për regjistrim martese, për ta dorëzuar më pas me postë ose personalisht dokumentin e lidhjes së martesës. Pas verifikimeve të nevojshme të kryera nga përfaqësues të ambasadës/konsullatës, qytetarët njoftohen me anë të e-mail-it apo nëpërmjet numrit të telefonit për statusin e aplikimit.

Dokumentet që duhet të ngarkohen nga aplikanti online:

  • Certifikata e martesës, lëshuar nga autoritetet e huaja (e legalizuar ose
    pajisur me vulë apostile)
  • Dokumenti i përkthimit i certifikatës së martesës, i legalizuar ose pajisur me vulë apostile (nëse nuk e legalizoni apo apostiloni përkthimin e certifikatës, kërkohet që përkthimi në gjuhën shqipe të kryhet në konsullatë ose nëse është kryer përkthimi nga përkthyes të licensuar, duhet që konsulli të lëshojë “vërtetim përkthimi” )
  • Dokumente identifikimi, si pasaportë e vlefshme udhëtimi ose letërnjoftimi e bashkëshortëve

Hapat e procedurës
  1. Identifikohuni në portalin e-albania.
  2. Zgjidhni shërbimin “Aplikim për regjistrim martese”.
  3. Klikoni butonin “Përdor”.
  4. Zgjidhni nëse do të kryeni një aplikim të ri apo do të gjurmoni statusin e një aplikimi ekzistues.
  5. Për të gjurmuar statusin e një aplikimi ekzistues, vendosni numrin e aplikimit dhe më pas klikoni butonin “Kërko”.
  6. Për të kryer një aplikim të ri, plotësoni të dhënat personale në formularin elektronik dhe ngarkoni dokumentet që janë të domosdoshme për asistencën që kërkohet.
  7. Me anë të e-mail-it të plotësuar në rubrikën përkatëse, do t’ju dërgohet konfirmimi i aplikimit si dhe kodi i veçantë i aplikimit (i cili mundëson ndjekjen e ecurisë së aplikimit në çdo moment).
  8. Dorëzoni me postë ose personalisht, dokumentin e lidhjes së martesës.
  9. Pas verifikimeve të nevojshme të kryera nga përfaqësues të ambasadës/konsullatës, do të njoftoheni me anë të e-mail-it apo nëpërmjet numrit të telefonit.

Mos hezitoni të na kontaktoni në çdo moment.

× Na kontaktoni