Studio ligjore "Meminaj"

Si të fitosh shtetësinë shqiptare?

Home / Single Practice

Si të fitosh shtetësinë shqiptare?

Në bazë të ligjit ka disa mënyra për fitimin e shtetësisë shqiptare. Ato janë si më poshtë:
a) lindje
b) origjinë
c) lindje në territorin e Republikës së Shqipërisë
ç) natyralizim
d) birësim

1. Fitimi i shtetësisë me lindje
Kushdo që lind, duke pasur qoftë edhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare, fiton shtetësinë shqiptare dhe regjistrohet si shtetas shqiptar. E drejta për t’u regjistruar si shtetas shqiptar nuk parashkruhet edhe pasi ka mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç.
 
2. Fitimi i shtetësisë me origjinë (Mund të aplikohet edhe nga shtetasit kosovar)
Shtetësia shqiptare fitohet nga i huaji, të paralindurit e të cilit kanë origjinën shqiptare, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë deri në tri shkallë e kërkuesit me të paralindurin. Në këtë rast shtetasi paraqet kërkesë për fitimin e shtetësisë shqiptare në bazë të origjinës dhe plotëson kriteret e përcaktuara në shkronjat “dh” dhe “ë” të pikës 1 të nenit të këtij ligji. Dokumentacioni i nevojshëm që provon origjinën shqiptare të kërkuesit përcaktohet me udhëzim të ministrit.

3. Fitimi i shtetësisë me lindje në territorin e Republikës së Shqipërisë
Një fëmijë i lindur ose i gjetur brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që mund të mbetet pa shtetësi fiton shtetësinë shqiptare. Në rast se prindërit e fëmijës bëhen të njohur ligjërisht përpara se fëmija të ketë mbushur moshën 14 (katërmbëdhjetë) vjeç dhe janë shtetas të huaj, ata mund të kërkojnë heqjen e shtetësisë shqiptare të fëmijës, me kusht që fëmija të mos mbetet pa shtetësi si pasojë e këtij veprimi.

4. Fitimi i shtetësisë me natyralizim
Shtetësia shqiptare fitohet me natyralizim nga i huaji që ka paraqitur kërkesë dhe
plotëson kushtet e mëposhtme:
 
  • ka mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç;
  • ka zotësi juridike për të vepruar;
  • qëndron në mënyrë të ligjshme dhe ka banuar për një periudhë të vazhdueshme për jomë pak se 7 (shtatë) vjet në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe ka përfituar leje të përhershme qëndrimi, të vlefshme në momentin e paraqitjes së kërkesës, sipas ligjit për të huajt;
  • ka banesë në përputhje me standardet e miratuara të banimit në Republikën e Shqipërisë;
  • disponon të ardhura dhe burime financiare të ligjshme, të mjaftueshme për jetesën në Republikën e Shqipërisë, që përkojnë me standardin minimal të jetesës, të indeksuar çdo vit në lidhje me indeksin e çmimeve të disa mallrave të zgjedhura, të parashikuar në rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore;
  • nuk ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në shtetin e vet, në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet të tretë për vepra penale, për të cilat ligji shqiptar parashikon dënime me jo më pak se 3 (tre) vjet heqje lirie. Përjashtim nga ky rregull bëhet vetëm në ato raste kur vërtetohet se dënimi është dhënë për motive politike;
  • zotëron njohuri të gjuhës shqipe, të folur e të shkruar, të vërtetuar nga institucioni përkatës arsimor, si dhe njohuritë bazë të historisë së Republikës së Shqipërisë, sipas rregullave të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë;
  • nuk përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë.
 
Në rast se personi është pa shtetësi, ai mund ta fitojë shtetësinë shqiptare nëse plotëson kushtet e përcaktuara në shkronjat “c”, “dh” dhe “ë” të pikës 1 të këtij neni. I huaji, që është i martuar me shtetas shqiptar për një periudhë prej jo më pak se 3 (tre) vjetësh, mund të paraqesë kërkesë për të fituar shtetësinë me natyralizim, edhe nëse nuk plotëson kushtet e përcaktuara në shkronjat “c” dhe “e” të pikës 1 të këtij neni, nëse ka banuar në mënyrë të ligjshme dhe të vazhdueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë të paktën për 1 (një) vit.
 
I huaji, fëmija i mitur i të cilit ka shtetësi shqiptare, mund të paraqesë kërkesë për fituar shtetësinë me natyralizim, edhe nëse nuk plotëson kushtin e përcaktuar në shkronjën “c” të pikës 1 të këtij neni, nëse ka banuar në mënyrë të ligjshme dhe të vazhdueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë të paktën për tre vjet.

Në rast se të dy prindërit fitojnë shtetësinë shqiptare me natyralizim, fëmija i tyre, nën moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, kur jeton me prindërit, fiton shtetësinë shqiptare me kërkesën e prindërve dhe me pëlqimin e fëmijës kur është në moshën 14-18 (katërmbëdhjetë deri në tetëmbëdhjetë) vjeç.
Në rast se njëri prej prindërve fiton shtetësinë shqiptare me natyralizim, fëmija i tij, nën moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, fiton shtetësinë shqiptare, nëse kërkohet nga të dy prindërit ose nga njëri prej prindërve dhe fëmija ka vendbanimin në Republikën e Shqipërisë e, në këtë rast, prindi tjetër duhet të japë pëlqimin. 
 
Përjashtohen rastet kur vërtetohet pamundësia objektive e prindit tjetër për të dhënë pëlqimin. Dokumentacioni i nevojshëm për fitimin e shtetësisë shqiptare me natyralizim, sipas parashikimeve të këtij neni, përcaktohet me udhëzim të ministrit.
 
Rastet e veçanta të fitimit të shtetësisë shqiptare

Shtetësia shqiptare mund të fitohet nga shtetasi i huaj që ka mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç kur nuk përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, edhe në rastet kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit. 
 
Për hartimin e programeve të veçanta, përcaktimin e rregullave specifike të kontrollit të veçantë të sigurisë dhe pastërtisë së figurës në standardet më të larta dhe monitorimin e zbatimit të tyre, krijohet një agjenci shtetërore e posaçme në varësi të ministrit. Organizimi dhe funksionimi i agjencisë miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Kriteret për fitimin e shtetësisë, sipas programeve të veçanta të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, procedurat e aplikimit, rregullat e kryerjes së verifikimeve dhe kontrolleve të nevojshme miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me bashkëpropozim të ministrit dhe ministrave përgjegjës sipas fushës së tyre të përgjegjësisë. Parashikimet e neneve 17 dhe 18 të këtij ligji nuk zbatohen në rastet e fitimit të
shtetësisë sipas këtij neni.
 
Fitimi i shtetësisë me birësim
Fëmija i birësuar fiton shtetësinë shqiptare nëse birësuesi ka shtetësinë shqiptare. Në rast birësimi nga dy bashkëshortë me shtetësi shqiptare të një fëmije me shtetësi tjetër ose pa shtetësi, fëmija fiton shtetësinë shqiptare. Fëmija i birësuar e fiton shtetësinë shqiptare edhe kur vetëm njëri prej bashkëshortëve është shtetas shqiptar, si dhe në çdo rast tjetër kur fëmija rrezikon të mbetet pa shtetësi si rezultat i birësimit. Dokumentacioni i nevojshëm për fitimin e shtetësisë shqiptare me birësim, sipas parashikimeve të këtij neni, përcaktohet me udhëzim të ministrit.

Mos hezitoni të na kontaktoni në çdo moment.

× Na kontaktoni